Paralajmërimi vjen pasi Departamenti amerikan i Shtetit tha se kërcënimet për sanksione mbi industrinë ruse të mbrojtjes i kanë kushtuar Moskës rreth 3 miliardë dollarë humbje në shitjet ushtarake.

Zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, konfirmuan se Turqia, e cila po negocion blerjen e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia, është njëri nga vendet që është paralajmëruar.

Turqia tha se është duke shikuar për sisteme alternative që do t’i blinte nga aleatët e NATO-s. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia nuk është e brengosur për sanksionet amerikane që dëmtojnë shitjet e mbrojtjes. Uashingtoni po ndëshkon Rusinë për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale në ShBA në vitin 2016.