Deputeti dhe kryetari i ASH-së, Ziadin Sela ka rrëfyer edhe mënyrën e evakuimit të tij nga Kuvendi natën e 27 prillit, kur ishte i mbuluar me gjak dhe vetëdije të humbur.

“Kam ardh në vetëdije në dhomën 334 në Kuvend. Dhoma ishte e errët, dhe unë isha i strehuar nën një byro pune. Abdulfetai, i punësuar  në Kuvend ishte me mua dhe mu prezantua, dhe me të ishte edhe një person tjetër. Fetai më tha se telefoni vazhdimisht po më cingërronte. E kam marr dhe i jam paraqitur gruas dhe i kam thënë se jam gjallë. Pastaj hynë policët me rroba civile. Më veshën një bluzë(dukser) dhe më dhanë një legjitimacion policor, bukvalisht më maskuan. Më nxorrën nga ambientet e Kuvendit duke bërtitur që të lirohet rruga se ka polic të plagosur”, theksoi Sela.

Ai gjatë seancës së sotme ka thënë se përveç autorëve të dhunës, ka edhe porositës së të saj, apo autorë të skenarit për eliminimin e tij fizik. Ai dyshon se këta autorë janë nën petkun e politikës.