Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për fundin e menjëhershëm të luftimeve në enklavën e Goutas Lindore në Siri, duke e përshkruar situatën atje si “ferr në tokë”.
“Besoj se Gouta Lindore nuk mund të presë”, tha Guterres para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Këtij institucioni po i kërkohet të shqyrtojë një rezolutë, e cila do të kërkonte armëpushim 30-ditësh në Siri.
Gouta Lindore, në tre ditët e fundit, është duke u sulmuar nga forcat qeveritare të Sirisë, të mbështetura nga Rusia.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut ka thënë se së paku 250 civilë, përfshirë 58 fëmijë, janë vrarë në Goutan Lindore që nga mbrëmja e 18 shkurtit dhe se 1,200 të tjerë janë plagosur.
Rajoni është zona e fundit e madhe që ka mbetur nën kontrollin e rebelëve në Siri.