Media shtetërore iraniane raportoi se skuadrat e shpëtimit kanë mbërritur në vendin ku një aeroplan është rrëzuar gjatë ditës së diele, ku 66 persona mendohet se kanë humbur jetën. Por zëdhënës nga organizata e aviacionit nuk e konfirmojnë ende këtë fakt.

Autoritetet iraniane kanë gjetur mbetje të avionit të rrëzuar gjatë ditës së diele. Mediat vendase raportojnë se skuadrat e emergjencës ja kanë dalë të mbërrijnë në vendin ku ka ndodhur aksidenti, edhe pse zëdhënës nga organizata e aviacionit nuk e konfirmojnë këtë fakt. Përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit u penguan nga erërat e fuqishme dhe dëbora, transmeton oranews. Në ndihmë të situatës janë vendosur edhe qindra alpinistë, ndërkohë që në zonë janë dërguar edhe dronë për të monitoruar situatën nga ajri.

Avioni i pasagjerëve i linjës Aseman u rrëzua në malet Zagros në qendër të Iranit ditën e diele dhe besohet se 66 personat që ndodheshin në bord kanë mbetur të vrarë. Aeroplani fluturonte nga kryeqyteti i Teheranit drejt qytetit perëndimor të Jasuxhit dhe sipas të dhënave të regjistruara nga fluturimi, është përplasur rreth një orë pas nisjes, rreth 22 km larg destinacionit final.

Sipas organizatës civile të aviacionit të Iranit, avioni i përplasur ishte 25-vjeçar. Vendi ka pësuar disa aksidente të rënda ajrore përgjatë viteve të fundit, për shkak të flotës tashmë të vjetruar të mjeteve të fluturimit. Sanksionet ndërkombëtare të cilat kanë për qëllim frenimin e programit bërthamor të vendit, kanë ndikuar në blerje e pjesëve të këmbimit për mirëmbajtjen e avionëve. Sidoqoftë, falë një marrëveshjeje të arritur në vitin 2015 mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe të tjera fuqive botërore shumica e këtyre sanksioneve janë hequr.