Regjimi i Asadit ka kryer një sulm ajror ndaj një jetimoreje të themeluar 13 muaj më parë në Gutën Lindore, e cila ndodhet nën rrethimin e regjimit

Forcat e regjimit të Asadit kanë kryer një sulm ndaj një jetimoreje në Gutën Lindore, e cila mirëmbahej nga Fondacioni Humanitar Turk për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) dhe Institucioni Bejtu’z-Zekat. Si pasojë të këtij sulmi një vajzë ka humbur jetën, kurse babai i saj i cili po ashtu është mësimdhënës në këtë jetimore është plagosur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga IHH thuhet se regjimi i Asadit ka kryer sulm ajror ndaj një jetimoreje të themeluar 13 muaj më parë në Gutën Lindore, e cila ndodhet nën rrethimin e regjimit. Si pasojë e sulmit njoftohet se jetimorja është plotësisht e papërdorshme.

Në deklaratë përfshihen edhe deklarata e Koordinatorit të IHH-së për aktivitetet në Siri, Erhan Yemelek, i cili ka bërë të ditur se jetimorja është marrë si objektivë edhe para 3 muajsh.

“Në sulmin e mëparshëm nuk kishte të vdekur, meqë jetimët ishin marrë në strehimore para sulmit të avionëve. Ne e shndërruam përsëri jetimoren në gjendje të përdorshme. Por pas sulmit të fundit ajror jetimorja është shndërruar në një vend plotësisht të papërdorshëm. Në këtë jetimore banonin 50 fëmijë jetimë. Për shkak të bombardimit të Gutës Lindore përsëri nga forcat e regjimit, pa asnjë dallim të objektivave, ne i transferuam jetimët tanë në një rajon relativisht më të sigurt. Pak kohë pas procesit të transferimit jetimorja jonë u sulmua edhe një herë nga një sulm ajror dhe u shndërrua në gjendje të papërdorshme plotësisht. Për fat të keq gjatë sulmit njëri prej mësimdhënësve të jetimores sonë u plagos. Për fat të keq edhe vajza 4 vjeçare e mësimdhënësit humbi jetën”, thuhet në deklaratë.

Në Gutën Lindore, e cila është nën kontroll të opozitës, jetojnë rreth 400.000 civilë. Ky rajon në marrëveshjen në Astanë u shpall zonë e deeskalimit të përleshjeve. Pavarësisht kësaj, pjesëtarët e regjimit të Asadit, vendi garantues i së cilës është Rusia, nga muaji prill i vitit të kaluar intensifikuan rrethimin, ndërsa muajt e fundit edhe sulmet.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid bin Ra’ad al-Hussein, dje ishte shprehur se kanë dokumentuar se në sulmet e realizuara që nga 4 shkurti e deri më tani në Gutën Lindore kanë humbur jetën 346 civilë dhe se 878 civilë janë plagosur.