Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se pret që pret që Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të ratifikohet nesër nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kreu i vendit, nëpërmjet një shkrimi në Twitter, në anglisht, ka paralajmëruar të mërkurën se votimi i Demarkacionit do të hapte rrugë të reja për kosovarët.

Thaçi po ashtu ka thënë se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do ta forconte sovranitetin e vendit.

“Nesër pres që të gjithë deputetët në Kuvendin e Kosovës të përqendrohen për t’i mundësuar qytetarëve tanë lirinë e lëvizjes, duke hapur rrugë të reja për studentët tanë dhe duke krijuar mundësi të reja për sipërmarrësit tanë”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

“Votimi për demarkacionin e kufirit është votë për forcimin e integrimit tonë në BE dhe për forcimin e sovranitetit tonë”, ka theksuar presidenti kosovar.

Më herët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka goditur ashpër të gjitha partitë politike në vend.

Një ditë para votimit në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Delawie ka dhënë një deklaratë djegëse, në llogarinë e tij zyrtare, në Twitter.

Ai ka thënë se disa po punojnë shumë për t’i mbajtur të izoluar qytetarët.

Në një shkrim tjetër, të bërë pak orë më herët, Delawie ka kërkuar nga deputetët e Kosovës që të ratifikojnë Demarkacionin, pasi qytetarët kanë pritur shumë gjatë për liberalizimin e vizave. /Express/