Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk e ka pritur mirë refuzimin nga disa individë e institucione për të marrë dekoratën tij me rastin 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook ai ka reaguar ndaj atyre që kanë refuzuar dekoratat nga ai. Thotë se dikush nuk mund të dekorohet nga dy shtete, nga Jugosllavia dhe Kosova.

Sipas tij ‘propozimet nuk janë dekorim’ dhe se ‘askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar’.

Shkrimi i plotë i Hashim Thaçit në Facebook:

Në tavolinën e punës kam hiq më pak se 500 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të propuzuar, por edhe të vetëpropozuar për marrjen e Medaljes Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë.

Deri më tani kam shqyrtuar jo më shumë se 20 propozime, 13 prej të cilave tanimë janë refuzuar dhe 7 janë aprovuar. Të tjerat do t’i shqyrtoj në ditët dhe javët në vijim.

Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar.

E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht.

Do t’i zbatoj me përpikëri kriteret kushtetuese, ligjore dhe kombëtare, dhe sa për sqarim, propozimet nuk janë dekorim.

Të refuzuarit nuk do të marrin përgjigje publike, sepse nuk dua t’i lëndoj. Të dekoruarit do të njoftohen zyrtarisht. HTH

Qindra personalitete ishin përzgjedhur nga Presidenti Hashim Thaçi për t’u dekoruar me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë. I fundit që ka refuzuar dekorimin është Sylejman Selimi. Jakup Krasniqi, Veton Surroi me Kohën Ditore, Radio Kosova e Lirë, Rexhep Selimi, Hydajet Hyseni, e bashkëshortja e Agim Zatriqit, ishin disa prej atyre që i kthyen mbrapsht dekoratat, pasi nuk e konsideruan Thaçin të denjë as edhe për t’i nderuar.