Partia Demokratike e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, nëpërmjet së cilës ka bërë të ditur se ajo dhe partitë e tjera politike të vendit po angazhohen për të arritur një pajtim, në mënyrë që t’i hapet rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart angazhimin e partive politike parlamentare për arritjen e konsensusit nacional për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatën e LDK’së.

“Arritja e konsensusit, për të cilin sot kishte përpjekje, është e domosdoshme dhe duhet të ndodhë”, ka thënë PDK.

Partia e udhëhequr nga Kadri Veseli ka thënë se është e bindur se subjektet politike janë shumë afër arritjes së unitetit ndërpartiak që Demarkacioni të ratifikohet sa më shpejtë.

“PDK do të angazhohet edhe nesër që të arrihet ky konsensus”, thuhet në komunikatën e partisë.

“PDK falënderon përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike parlamentare për dialogun konstruktiv lidhur me gjetjen e zgjidhjes për çështjen kryesore në raport me liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët tonë”, përfundon komunikata.