Nga dy aeroportet në Maqedoni, në Shkup dhe Ohër, në janar të këtij viti janë transportuar 151,381 udhëtarë, që paraqet rritje prej 18,7 për qind krahasuar me janarin e vitit të kaluar, kumtoi sot Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Në aeroportin e Shkupit muajin e kaluar janë regjistruar 145.592 udhëtarë, për 18,3 për qind më shumë krahasuar me janarin e vitit 2017, kur janë transportuar 123.118 udhëtarë.

Në aeroportin “Shën Apostull Pali” në Ohër, numri i udhëtarëve të transportuar në janar është rritur për 30,8 për qind në krahasim me janarin e vitit të kaluar.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë në mënyrë të vazhdueshme ndërmerr masa për zhvillimin e qarkullimit ajror në vend. Në këtë drejtim, politikat e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve lëvizin drejt krijimit të rrjetit të gjerë të destinacioneve të kapshme për qytetarët e Republikës së Maqedonisë”, thekson Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.