Houston Rockets vijon marshimin në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Skuadra teksane fitoi sfidën e radhës ndaj Minnesotës, me rezultatin 120-102, e tashmë ka një bilanc me 45 fitore e 13 humbje, duke regjistruar suksesin e 11 radhazi.

Si gjithmonë ishte James Harden, ai që bën padronin në parket, me 31 pikë, por ai kishte edhe mbështetjen e Chris Paul, që regjistroi një bilanc me 14 pikë, 10 topa në tabelë dhe 8 asiste.

Por fillimi i sfidës ishte më i mirë për Minnesotën, që mori avantazhin në periodën e parë falë rezultatit të pjesshëm 22-8, ku Jimmy Butler ishte një rrezik i vazhdueshëm për teksanët.

Houston u zgjua në periodën e dytë dhe e ktheu situatën në favorin e saj, falë rezultatit të pjesshëm 12-0, ndërkohë që në periodën e tretë, Minnesota humbi shërbimet e Butler, për shkak të një dëmtimi të pësuar në gju. Houston përfitoi nga fakti që Timberwolves u goditën psikologjikisht nga dëmtimi i udhëheqësit të tyre për të fituar këtë sfidë me një diferencë prej 18 pikësh.

Cleveland e mori shumë shpejt veten nga humbja me Washingtonin. “Cavaliers”-at mundën në sfidën e radhës Memphisin me rezultatin 112-89, ku protagonisti absolut i sfidës ishte LeBron James, i cili e mbylli këtë sfidë me 18 pikë, 14 topa në tabelë dhe 11 asiste.

Megjithatë, ishin “Grizzlies”-at, që e nisën më mirë ndeshjen, teksa arritën të marrin kryesimin në 32-24. Cleveland reagoi dhe në fundin e pjesës së parë doli në udhëheqje të rezultatit të sfidës. Pavarësisht përpjekjeve të Memphisit, forca e “Cavaliers”-ave ishte më e madhe dhe “Grizzlies”-at e patën të pamundur ta përballojë atë deri në fundin e takimit.

Denver vijon fluturimin e tij në kampionat. “Nuggets”-at mposhtën San Antonio Spurs 122-119, duke regjistruar fitoren e 4-t radhazi, ndërkohë që bilanci i kësaj skuadre shkoi në 33 fitore e 26 humbje. Jokiç ishte njeriu i ndeshjes për Denverin, me 28 pikë, 11 topa në tabelë e 11 asiste. Në krahun tjetër, për San Antonion nuk mjaftuan 38 pikët e Aldridge për të evtiuar disfatën e 4-t radhazi, me teksanët që tani kanë 35 fitore e 25 humbje.