Reshjet e mëdha të borës dhe erërat e fuqishme, kanë bërë shkollat, në disa zona të Kroacisë të mbyllen, ndërkaq, qarkullimi i automjeteve në disa akse rruge të kufizohet.

Autoritetet kroate kanë thënë sot se problemet më të mëdha nga moti i keq janë në rajonin malor të Gorksi Kotar, ku ushtria i është bashkuar përpjekjeve për të zhbllokuar rrugët nga bora. Autoritet kanë thënë se në shumë shkolla është ndërprerë mësimi. Ndërkaq, erërat e fuqishme kanë bërë që shumë rrugë kryesore përgjatë bregdetit Adriatik të mbyllen për qarkullim, ndërkaq shpejtësia e lëvizjes së automjeteve në autostrada është ulur. Moti i keq gjithashtu ka ndërprerë edhe lundrimin e trageteve tregtare.