Qeveria sot në seancë e miratoi Strategjinë kombëtare për zhvillimin e kulturës për vitin 2018-2022 dhe Planin e veprimit, me të cilët edhe praktikisht duhet të fillojnë reformat themelore të cilat i paralajmëron Ministria e Kulturës.

Decentralizimi dhe demetropolizimi i kulturës dhe qasja deri te ajo për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, janë qëllimet kryesore të zhvillimit kulturor të planifikuara për pesë vitet e ardhshme.

“Sivjet hapim shumë procese për ristrukturimin e sistemit, në të cilat e presim pjesëmarrjen dhe kontributin e opinionit dhe të gjithë të interesuarve”, tha ministri i Kulturës Robert Alagjozovski në konferencë për shtyp në Qeveri e cila pasdite në seancë e miratoi dokumentin strategjik dhe ai më tutje duhet të kalojë në procedurë kuvendore.

Në lidhje me ndërhyrjet konkrete për reforma në kulturë, ministri prezantoi segmente kyçe nga Plani i veprimit për të cilat, siç tha, tani më janë në faza përparuese të përgatitjes.

Midis tyre janë mbështetja e iniciativave të komunave për të formuar institucione të reja kulturore ose ta rritin numrin e institucioneve nën kompetencë të tyre përmes krijimit të kushteve fiskale dhe rritjen e parave që i marrin përmes blok-dotacioneve për kulturë.

Kontribut i madh, tha, është mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe muzetë, për çka do të zbatohet revizion i gjendjeve në institucionet dhe në Drejtorinë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Do të përpunohet strategji për mbrojtjen dhe përgatitjen e ligjit të ri për mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Paralajmëroi edhe ndryshime të Ligjit për muzetë, mbështetje të sektorit kulturor qytetar dhe të pavarur, artet ndërdisiplinore, industritë kulturore dhe kreative, reformë në Ministrinë e Kulturës, e cila, tha, më nuk do të jetë aktor autoritar i jetës kulturore dhe arbitër kryesor si paraprakisht.

Midis synimeve është edhe reforma e sistemit të financimit, me të cilin institucionet kombëtare do të marrin buxhet të rezervuar, në bazë të planit strategjik për periudhën prej tre viteve.

Ndryshime do të ketë edhe në veprimtarinë e bibliotekës dhe në Ligjin për veprimtari botuese (në pjesën që ka të bëjë me bibliotekat) si dhe plotësimet e Klasifikimit kombëtar të trashëgimisë kulturore. Vijon, tha, sanim i gjendjeve në BUK “Shën Klimenti i Ohrit”-Shkup, ndërsa do të sigurohet mbështetje edhe për digjitalizimin e fondeve të bibliotekave.

Strategjinë e miratuar kombëtare për zhvillim të kulturës 2018-2022, për të cilën në pesë muajt e fundit të vitit 2017 u organizuan disa debate publike nëpër shtet, Ministria e Kulturës do ta publikojë në ueb faqen e saj  www.kultura.gov.mk.