Kancelarja gjermane, Angela Merkel vendosi të propozojë bashkëpunëtoren e saj të ngushtë, Annegret Kramp-Karrenbauer për t’u bërë numri dy i partisë konservatore, CDU, duke përcaktuar në këtë mënyrën pasuesen e saj në të ardhmen, njoftoi sot për median një burim i afërt i partisë.

Drejtuese e landit të vogël të Sarres dhe një bashkëpunëtore mjaft e ngushtë e Merkel, Annegret Kramp-Karrenbauer, 55 vjeçe, pritet të zgjidhet gjatë ditës së sotme sekretare e përgjithshme e Partisë Kristian-demokrate.

”Ajo do të pasojë Peter Tauber, 43 vjeç, i cili dha dorëheqjen për arsye shëndetore nga posti strategjik”, sipas këtij burimi.

E cilësuar “Merkel e Sarres”, Kramp-Karrenbauer është prezantuar gjithmonë në mediat gjermane si favoritja kryesore për të pasuar postin e kancelares.

Dy gratë ndajnë të njëjtën linjë politike kryesisht centriste përballë pakënaqësisë së krahut të djathtë të lëvizjes, që kërkon një ndryshim më konservator përballë progresit të ekstremit të djathtë.