Qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e mirënjohur SHELL për të nisur kërkimin e zbulimit të naftës.

Kryeministri Rama e quajti këtë “një kontratë të re për një tjetër investim të madh të huaj në Shqipëri”, çka sipas tij ka potencialin të transformojë jo vetëm të ardhmen e zonës, por të të gjithë vendit.

Rama tha se nën rrënjët e malit të Shpiragut pretendohet se ndodhet një rezervë e jashtëzakonshme nafte, “një rezervë që mund të transformojë një herë e përgjithmonë të ardhmen jo vetëm të kësaj zone, por të krejt Shqipërisë. Prandaj edhe dita e sotme është një ditë e shënuar në rrugën drejt të ardhmes. Marrëveshja me kompaninë SHELL konkretizon një interes më shumë se 20-vjeçar që kur SHELL u shfaq për herë të parë në vendin tonë në vitin 1994 dhe për tu larguar pas trazirave të tre viteve me vonë.”

Rama tha se rikthimi i SHELL-it, “një kompani me 30 herë më shumë të ardhura vjetore se Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Republikës së Shqipërisë tregon se sot ne me të drejtë jemi të gëzuar dhe shpresëplotë për të ardhmen e sektorit të naftës dhe të gazit në vendin tonë.”