Emmanuel Macron dhe Angela Merkel i kanë shkruat presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, ku i kanë kërkuar atij të mbështesë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim në Siri për t’i dhënë fund fushatave më të rrezikshme të bombardimeve të luftës.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i shtetit francez, shkruan “the Guardian”, përcjell “Bota sot”.

Letra, e dërguar nga presidenti francez dhe kancelaria gjermane, i kërkon Rusisë të mbështeste projekt-rezolutën duke bërë thirrje për një armëpushim 30-ditor, në mënyrë që të lejohen ndihmat në Ghouta lindore.

Këshilli i Sigurimit i OKB pritet të votojë për rezolutën të premten.

Edhe shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, ka kërkuar të premten një armëpushim të menjëhershëm.

Të premten, avionët e forcave qeveritare dhe të aleatëve të saj goditën enklavën e dendur të populluar në lindje të kryeqytetit, bastioni i fundit rebel pranë Damaskut.

Të paktën 436 persona janë vrarë dhe qindra të plagosur, ka thënë  grupi monitorues i Observatorit për të Drejtat e Njeriut në Siri.

Në mesin e të vdekurve janë të paktën 99 fëmijë.