Programi vjetor për mbështetjen (më saktë: diskriminimin) e kulturës i Ministrisë së Kulturës edhe një herë e konfirmoi se mjetet që për vite me radhë është dashur t’u ndahen artistëve, shtëpive botuese, festivaleve e punonjësve të artit, promotorëve të traditës, artit, librit e kulturës shqipatre, ende vazhdojnë të përfundojnë në xhepat e familjarëve të funksionarëve të qeverisë. Kjo praktikë e thellon edhe më tepër diskriminimin e kulturës shqiptare, e cila – pos diskriminimit nga ana e sistemit shtetëror – vazhdon të diskriminohet edhe nga ana e funksionarëve të pangopur shqiptarë.

Për fat të keq sot po vërtetohen paralajmërimet tona se nuk mund të kemi qeveri reformatore me elementet e trashëguara kriminogjene nga qeveria e kaluar. Ku ta dimë, mbase edhe qeveritarët e rinj për model funksionimi i kanë marrë funksionarët e korruptuar të regjimit të kaluar, disa prej të cilëve i kanë kolegë!

Prandaj i inkurajojmë organet e drejtësisë për hetimin e korrupsionit dhe urgjentisht të marrin masa, duke e sanksionuar maksimalisht këtë praktikë famëkeqe, ndërsa ministri i Kulturës, nëse dëshiron të dëshmojë se dallohet nga ish ministrat e Kulturës, do të duhet ta anulojë këtë program dhe të kërkojë ndjesë që dikush ka ndërhyrë përsëri për diskriminin e kulturës shqiptare.