Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëshuar në mbrëmjen e së enjtes një komunikatë për media, duke shprehur gatishmërinë e saj për ta votuar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. LDK ka thënë se i ka ofruar zgjidhje koalicionit qeverisës për demarkacionin, por nuk ka treguar se çfarë saktësisht.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, në takimet me partitë e koalicionit qeverisës, ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatë.

LDK u ka bërë thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga ajo, dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse.

“LDK-ja i siguron qytetarët se vullneti i saj është në përputhje të plotë me vullnetin e tyre për lëvizje të lirë dhe se grupi jonë parlamentar është unik në këtë qëndrim”, përfundon komunikata e LDK’së.

Merret vesh se partitë politike nga pozita dhe opozita janë duke vazhduar bisedimet për të arritur një marrëveshje për Demarkacionin.

Takimet mes shefave të grupeve parlamentare të partive shqiptare janë duke u mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Thuhet se është edhe afër një marrëveshje lidhur me Projektligjin për Shënimin e Kufirit Shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi. /Express/