Gjysma e kryesisë së VMRO-DPMNE-së dhe rreth 17 deputetë të kësaj partie kanë pasaportë bullgare. Kjo më parë ishte shkruar edhe nga agjencia bullgare e lajmeve “Fokus”, e cila ka shkruar se janë shumë politikanë maqedonas që posedojnë këtë dokument.

Por së fundi janë shtuar zërat se ata duhet të kthejnë këto pasaporta. Këtë e kërkon edhe gazetari bullgar, Kostadin Filipov.

“Shumë nga deputetët e VMRO DPMNE-së kanë pasaporta bullgare, shtetësi bullgare dhe nuk hynë në Parlament për të votuar për ratifikimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim. Deputetët nga VMRO-DPMNE së paku mund të ishin të pranishëm në Kuvend në mënyrë që të kenë legjitimitet më të madh, pavarësisht faktit se ata janë kundër marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Ishte një vendim i turpshëm i deputetëve të partisë kryesore të opozitës”, tha gazetari bullgar Kostadin Filipov në një intervistë për Faktor Magazin në TV24.