Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për të tejkaluar problemet lidhur me votimin e demarkacionit. Por, ka thënë se nuk ka hequr dorë nga raporti i Shpejtim Bulliqit, i cili do të jetë pjesë e ratifikimit.

“Qytetarëve të Republikës së Kosovës ua konfirmoj se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, që siguron unitet politik në parlament. Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç, si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar Haradinaj.

Por, Kryeministri është pajtuar që raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë vetëm orientues e informues në marrëveshjen që do të ratifikohet të mërkurën në Parlament. Kjo marrëveshje i hapë edhe rrugë liberalizimit të vizave pasi BE’së kishte vendosur si kush për t’i lejuar kosovarët të lëviznin lirshëm në Shengen.

Ndërkohë, LDK ka përshëndetur pajtimin e Kryeministrit derisa i ka bërë thirrje Vetëvendosjes të votojë pro demarkacionit.

Edhe Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka konfirmuar se është arritur konsensusi me Ramush Haradinajn për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka konfirmuar për Gazetën Express se është arritur marrëveshje me Ramush Haradinajn për ta pranuar propozimin e LDK’së për demarkacionin. Ka thënë se kjo marrëveshje është arritur mbi parimet e mirëkuptimit për të ardhmen e Kosovës. Ka thënë se kur është arritur pajtimi i Kryeministrin Haradinaj prezentë ka qenë edhe Kadri Veseli

“Me Kryeministri sot kam pas një bisede të gjatë. Dallimi  mes LDK dhe Kryeministrit është zgjidhur. Pranohet dokumenti ashtu siç LDK ka kërkuar. Nuk ka asnjë dilemë më për të ecur përpara”, ka thënë Pacolli, për Express.

“Falënderoj Kryeministin Ramush Haradinaj për konstruktivitetin dhe mirëkuptimin që ka pasur për këtë takim që kemi pasur sot. Definitivisht mund të konsiderohet se ky problemn dhe divergjencat mes LDK’së dhe Kryeministrit janë zgjedhur. Nuk do të ketë asnjë problem”, ka shtuar ai.

“Ishte vështirë por jam shumë i lumtur që ndodhi. Pa kushtëzime, por në mënyrë pozitive dhe duke menduar për të ardhmen e të të rinjve ”.

Ndërkohë, demarkacioni dështoi dy herë, në dy seancat e fundit, pasi LDK e AAK nuk pajtoheshin lidhur me përmbajtjen e dokumentit që do të miratohej në Parlament. Partia e Isa Mustafës kërkonte që raporti i Shpejtim Bulliqit të ishte vetëm informues, ndërsa, Haradinaj kërkonte që i njëjti të ishte obligues.

Bashkë me Marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 2015 do të ratifikohet në Parlament edhe dokumenti i nënshkruar nga Presidenti kosovar dhe ai malazez, i cili saktëson se mund të bëhen përmirësime të shënimit të vijës kufitare nëse gjenden fakte të reja.