Përdorimi i telefonit celular derisa shoferi drejton automjetin motorik po bëhet arsye numër një për tërheqjen e vëmendjes te shoferët. Në Maqedoni 63 për qind nga shoferët kanë përdorur telefon celular derisa kanë drejtuar automjetin. Shoferët e rinj deri 30 vjet, dy herë më shumë përdorim telefon celular derisa drejtojnë automjetin nga shoferët në moshë mbi 30 vjet.

Këshilli Republikan për Siguri gjatë Komunikacionit në Rrugë (KRSKRR) thekson se përdorimi i telefonit celular derisa shoferët drejtojnë automjetin motorik është po aq e rrezikshme si në vendbanime, ashtu edhe jashtë nga vendet e banuara.

Statistika tregon se numër gjithnjë e më i madh i aksidenteve rrugore ndodhin në vendbanime, ndërsa numri më i madh i tyre janë shkaktuar si pasojë e përdorimit të telefonit celular. Në aksidente të tilla rrugore më shpesh pësojnë këmbësorët dhe çiklistët.

KRSKRR apelon deri te shoferët të jenë të përkushtuar dhe të kujdesshëm në komunikacion, të përqendrohen në rrugë dhe gjendjen  në komunikacion dhe të mos përdorin telefona celularë derisa drejtojnë automjet motorik.

Hulumtimet e bëra prej organizatave ndërkombëtare me renome tregojnë se tërheqja e vëmendjes së shoferit është arsye për 20 deri 25 për qind të të gjitha aksidenteve rrugore. Në nivel botëror 45 për qind nga shoferët e përdorin telefonin celular derisa e drejtojnë automjetin. Në SHBA vlerësohet se në çdo moment gjatë ditës gjashtë për qind e shoferëve përdorin telefona celularë derisa drejtojnë automjetin.

Grupi më i rrezikshëm i pjesëmarrësve në komunikacion janë shoferë të rinj, deri 25 vjet dhe shoferët fillestarë. Prej 18 deri 30 për qind e të gjithë viktimave në komunikacion janë shoferë të rinj, edhe pse sipas statistikës kjo përqindje përfshin mes nëntë dhe 13 për qind nga popullsia.

Efektet negative nga përdorimi i telefonit celular janë pothuajse të njëjta edhe te të rinjtë edhe te shoferët në moshë. Te shoferët e rinj, problem është ta përshtatin drejtimin e automjetit me aktivitetin e ri – bisedë në telefon sepse nuk kanë përvojë në drejtimin e automjetit, ndërsa te shoferët e rritur, problem e kanë ta përshtatin drejtimin e automjetit me bisedën në telefon celular sepse më dobët dëgjojnë apo më dobët shohin.

Sipas hulumtimeve të tjera, shkrimi i mesazheve derisa drejtohet automjeti motorik e ul reagimin e shoferit për ndalimin e automjetit për 18 për qind, ndërsa e rrit rrezikun për shkaktim të aksidenteve rrugore për gjashtë herë. Shkrimi i mesazheve derisa drejtohet automjeti është i njëjtë me drejtimin e automjetit me sy të mbyllur tërë gjashtë sekonda për të cilin automjeti me shpejtësi prej 60 kilometrash në orë kalon 100 metra.

Në Maqedoni përdorimi i telefonit celular derisa shoferi e drejton automjetin motorik është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për siguri në komunikacionin e rrugëve dhe sanksionohet me 40 euro në kundërvlerë denari apo 25 pikë negative në librezën e shoferit.