Vazhdojnë akuzat se kush është legjitime e kush nuk është legjitime në partinë Lëvizjes Besa.

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, thotë se do ta padisin pas kongresit, Lëvizjen Besa tani më të Afrim Gashit. Kjo parti thotë nuk ka dy kongrese po vetëm një kongres dhe zgjedhjen e Gashit, nuk e njohin.

“Paritë politike janë të regjistruara në Regjistrin e partive politike. Partitë politike mund të kenë vetëm një Kongres, pas përfundimit të të cilit, ne do ta dorëzojmë në gjykatë dokumentacionin e plotë nga Kongresi”, tha Avdush Demiri, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Një ditë më parë Lëvizja Besa, në Tetovë zgjodhi Afrim Gashin kryetar të kësaj partie. Ai tha se zgjedhja e tij është legjitime dhe nuk i intereson se si do të përfundojë beteja juridike me grupin tjetër i cili pretendon se e ka legjitimitetin dhe legalitetin.

“Ne jemi të preokupuar me procesin tonë. Ky proces i joni sot ka përfunduar. Ajo është një organizatë krejt tjetër. Beteja juridike do të zhvillohet dhe do të përfundojë ashtu siç do të vendosin gjykatat, por organizata është kjo. Kjo është ideja, këtu është koncepti, këtu janë njerëzit. Ne do të vazhdojmë, pavarësisht emrave që pranohen në gjykatë apo jo”, tha Afrim Gashi, kryetar i Lëvizjes Besa.

Situatën në të cilën po kalon Lëvizja Besa, Gashi dje e cilësoi si një grip sezonal, të cilin organizata po e tejkalon dhe po e forcon imunitetin politik. Përveç zgjedhjes së kryetarit, partia dje miratoi edhe statutin e ri të partisë, programin politik si dhe votoi anëtarët e Kuvendit Qendror, organe këto të cilat, janë tërësisht të papranuara për krahun e Besës së Kasamit./TV21