Lidhur me çështjen e Kosovës është i mundur vetëm në marrëveshjen e drejtpërdrejtë të Beogradit e Prishtinës, por nuk jam optimist rreth kësaj, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, ish-ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomeri

Sipas tij, pengesa e parë është fakti se shqiptarët e Kosovës kanë shumë përkrahje nga amerikanët të cilët e mbajnë qëndrimin për pavarësinë e Kosovës në kufijtë aktualë.

Derisa SHBA-ja ta ketë këtë qëndrim, janë të vogla gjasat që ndonjë politikan, shqiptar kosovar, ta marrë përsipër këtë rrezik dhe të dorëzojë ndonjë territor.

Sipas fjalëve të tij, janë të mundshëm katër epilogë kur bëhet fjalë për Kosovën.

I pari, thotë ai, është vazhdimi i situatës aktuale, që në fund do të përdorej për bllokim të Serbisë në BE.

I dyti është normalizimi i marrëdhënieve pa njohje të drejtpërdrejtë të Kosovës nga Serbia.

“Pres që BE të kërkojë nga Serbia që të ndikojë te Rusia që të pushojë së bllokuari pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuar në këmbim të pranimit të Serbisë në BE”, ka thënë ish-diplomati.

Si epilog të tretë të mundshëm, ai sheh atë që para Serbisë, në fund të procesit të anëtarësimit në BE, të vihet zgjidhja sipas parimit “merre ose leje” – “njihe pavarësinë e Kosovës dhe hyni në BE, refuzoni dhe nuk do të bëheni anëtar”, transmeton Koha.net.

Epilogu i katërt i mundshëm mund të jetë që udhëheqja serbe dhe ajo kosovare të arrijnë marrëveshje bilaterale në të cilën do të ketë elementë që nuk do t’i pëlqejnë bashkësisë ndërkombëtare.

Si mundësi të elementëve të tillë Montgomeri sheh një ndarje të Kosovës dhe marrjen e një territori të Serbisë nga Kosova që banohet kryesisht me shqiptarë.