Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov në suaza të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, sot në Ankara pati takim me kryeministrin turk Binali Jëlldërëm dhe me kryetarin e Kuvendit të Madh Popullor Ismail Karaman.

Siç kumtoi Kabineti i presidentit, në takimet janë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe midis Maqedonisë dhe Turqisë, me ç’rast është vlerësuar se të dyja vendet kultivojnë marrëdhënie miqësore tradicionale, me kontakte intensive në nivel më të lartë.

Presidenti Ivanov me kryeministrin Jëlldërëm dhe me kryetarin e Kuvendit Karamani kanë shkëmbyer informacione për situatat në të dyja vendet dhe për situatat aktuale në rajon.

Siç theksohet në kumtesë, në kontekst së aspiratave euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë, presidenti Ivanov shfaqi falënderim për mbështetjen e deritanishme parimore nga Turqia për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO dhe shfaqi pritje kjo të vazhdojë.

Në takimet janë shkëmbyer mendime edhe për mundësitë për bashkëpunim ekonomik, me ç’rast, siç theksohet, është konstatuar se duhet të ndiqet shembulli i marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe të dyja vendet të synojnë drejt intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimit tregtar. Ivanov ka shfaqur pritje për zgjerimin e interesit të kompanive turke në Republikën e Maqedonisë.

Kabineti i Ivanovit bëri të ditur se, në takimet është shprehur pritje për thellimin e bashkëpunimit midis shërbimeve të sigurisë të të dy vendeve dhe gjetjen e mjeteve dhe metodave efektive për parandalim dhe luftën kundër përhapjes së ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm.

Në takimin me kryetarin e Kuvendit turk Ismail Karaman, është theksuar rëndësia e bashkëpunimit parlamentar për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe, nga aspekti i integrimeve të saj për definimin e kornizës ligjore, e cila krijon kushte për avancimin e dialogut politik dhe dinamizmin e bashkëpunimit ekonomik.

Presidenti Ivanov sot pasdite do të takohet me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Paraprakisht, presidenti Ivanov, në suaza të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, vendosi kurorë lulesh në Mauzoleun e Kemal Ataturkut në Ankara.