Rreth një mijë njerëz të zemëruar kanë hyrë në një stacion policor në Indi prej ku kanë tërhequr dy të dyshuar për përdhunim dhe vrasje të një vajze pesëvjeçare dhe i kanë vrarë.

Një polic deklaroi se gjatë sulmit janë lënduar 15 policë. Ai citoi se  njerëzit e zemëruar së pari kanë kërkuar nga policia t’ua dorëzojë të dyshuarit, por prejse policia e ka refuzuar kërkesën, ato kanë hyrë dhe i nxorën nga paraburgimi, ndërsa pastaj i vranë.

Përdhunimi i vajzave, por madje edhe i fëmijëve të vegjël në Indi është dukuri e shpeshtë. Disa raste jashtëzakonisht brutale të përdhunimit të foshnjave dhe vajzave të vogla kohë më parë e tronditën opinionin indian dhe atë botëror. Shumica nga ato krime kanë ndodhur edhe në kryeqytetin Nju-Delhi.

Deri tani janë mbajtur dhjetëra protesta në të cilat është kërkuar diçka konkrete të ndodhë pas kësaj çështje, është apeluar në mënyra të ndryshme, por politikanët indianë tani për tani nuk arrijnë t’u dalin ballë këtyre krimeve të rënda.