Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka adresuar kritika ndaj qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, për shpronësimet në Hade, të cilat do t’i hapin rrugë Korporatës Energjetike të Kosovës për nxjerrje të thëngjillit.

Teksa nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka lavdëruar qeverinë e udhëhequr nga shefi i tij për zgjidhjen e çështjes së shpronësimeve, Haziri ka treguar se si ka arritur Qeveria Haradinaj ta bëjë një gjë të tillë.

Haziri, i cili udhëheq Komunën e Gjilanit, ka thënë se qeveria e Haradinajt ka shpenzuar pesëdhjetë herë më shumë për shpronësime sesa që ka planifikuar qeveria e paraardhësit i tij, Isa Mustafa.

“Kjo është shumë lehtë, nëse e blen një shtëpi 300 mijë euro, në vend të 52 mijë euro, sipas vlerësimit të parë. E keni çuar në 300 mijë euro, natyrisht që e kryeni për një javë ditë”, ka thënë Haziri në “Rubikon” të KTV’së.

“I njëjti Komision shtetëror e ka vlerësuar 52 mijë euro, i njëjti Komision kur keni ardhur ju e ka bërë 300 mijë euro”, ka deklaruar Haziri.

E Gjini, që udhëheq Komunën e Gjakovës, ka justifikuar veprimet e qeverisë Haradinaj.

“Ju keni mundur të shpenzonit dhjetë herë më shumë për të blerë rrymë në Serbi”, ka thënë Gjini.