Lidhur me njoftimin publik për kompenzimin e një pjese të shpenzimeve për blerjen e shporetëve me pelet, Ministria e Ekonomisë informon se nga sot, më 21 shkurt 2018, fondet e parapara në Buxhetin 2018 për rimbursimin e kësaj mase tashmë janë shfrytëzuar.

Kjo është masa e parë, nga masat e parapara në ‘Programin për promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe inkurajimin e efikasitetit energjetik në amvisëritë për vitin 2018’, me një buxhet të përgjithshëm prej 50 milion denarë, nga të cilat për këtë masë u ndanë 14 milion denarë, tashmë të shpenzuara.

Qëllimi i kësaj mase për të kompensuar një pjesë të kostos së blerjes së shporetave me pelet, me çka bëhet zëvendësimi i shporetave të vjetra me thëngjill, drur, naftë ose mazut, ishte të stimulonte familjet që të përdorin burimet e ripërtëritshme të energjisë për ngrohjen e shtëpive të tyre, të cilat minimizojnë ndotjen e ajrit dhe tokës dhe nuk ndikojnë në ndryshimet klimatike.

Kjo do të thotë se të gjithë atyre që blenë shporetë peleti, pas publikimit të thirrjes publike më 31 janar 2018, dhe aplikuan me dokumentet e nevojshme, iu mundësua kompenzimi i një pjesë të shpenzimeve për blerjen e tyre deri në 50 për qind të shumës, por jo më shumë se 500 euro në kundërvlerë në denarë, për familje për vitin 2018-të.

Parimi sipas të cilit u bë kompenzimi ishte “i pari vjen, i pari shërbehesh” deri në shfrytëzimin e plotë të fondeve për këtë qëllim, dhe pas kësaj faze do të përgatiten vendimet për lëshimin e mjeteve për amvisëritë që kanë përmbushur kushtet e përcaktuara sipas Programit për kompenzim. Lista e aplikantëve që përfituan të drejtën e kompensimit do të vendoset në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë.

Në Programin për promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe inkurajimin e efikasitetit energjetik në familje për vitin 2018, ka edhe dy masa me të njëjtin qëllim: kompenzimin e një pjese të shpenzimeve për zëvendësimin e dritareve të vjetra të drurit, me dritare të reja PVC ose të aluminit, për të cilën masë janë ndarë 30 milion denarë, dhe kompensim për blerjen dhe instalimin e kolektorëve diellorë, masë kjo që zbatohet me sukses nga Ministria e Ekonomisë për 9 vjet me radhë, për të cilën edhe këtë vit janë ndarë 6 milionë denarë. Këto masa do të bëhen aktive në muajin mars, përmes shpalljes së thirrjeve publike.