Finlanda, përmes Sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Peter Stenlund, i ka paraqitur ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, kushtin e saj për të votuar pro hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë, Stenlund është shprehur se Finlanda mbështet integrimin e Rajonit në BE, por meritokracia është një kriter ku do të bazohet vlerësimi i vendit të tij, për të votuar pro ecurisë së proceseve intergruese.

Bushati njohu Stenlund me progresin e vendit në fushën e reformave, adresimin e pesë prioriteteve kyçe, me fokus reformën në drejtësi dhe zbatimin e procesit të Vettingut, si dhe pritshmëritë në lidhje me vendimmarrjen mbi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë këtij viti.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Finlandës nënvizoi rolin mbështetës të Finlandës për procesin e zgjerimit dhe përpjekjet e Shqipërisë në këtë kontekst. Në kuadër të përgatitjeve të Finlandës për presidencën finlandeze të Këshillit të BE-së në vitin 2019, Stenlund vlerësoi rëndësinë që ka mbështetja e perspektivës së qartë evropiane për rajonin dhe Shqipërinë.

Duke u ndalur tek sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian, Stenlund theksoi se anëtarësimi i vendeve në BE ka të bëjë jo vetëm me përgatitjen e tyre, por dhe me komunikimin mes vendeve anëtare për këtë qëllim. Duke nënvizuar se vlerësimi do të bëhet bazuar në meritë, ministri Bushati dhe Sekretari i Shtetit Stenlund ndanë mendimin për nevojën e nxitjes së shpirtit politik të procesit të zgjerimit.