Sot, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi, realizoi takim me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë, SH.T. z. Mats Stefanson.

Në takim u shkëmbyen mendime për ngjarjet aktuale dhe dinamikat politike në vend. Bashkëbiseduesit u pajtuan se momenti i sapokrijuar në rrjedhat politike në Republikën e Maqedonisë nuk guxon të lëshohet.

Deputeti Grubi falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që vjen nga Mbretëria e Suedisë për Republikën e Maqedonisë, me ç’rast deklaroi: “Rruga drejt BE-së është e vërtetë dhe se në këtë rrugë na duhen aleatë”.

Gjithashtu, Grubi, e përshëndeti edhe Strategjinë e KE-së për perspektivat e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, me të cilën vërtetohet ardhmëria e rajonit tonë si investim gjeostrategjik në Evropën stabile, të fortë dhe të bashkuar, të bazuar në vlerat e përbashkëta.

Në këtë kontekst u bisedua edhe për përparimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore sipas modelit të marrëveshjes bilaterale me Bulgarinë, shembull i cili duhet të ndiqet edhe në angazhimet për tejkalimin e dallimeve me emrin me Republikën e Greqisë, me qëllimin final, Republika e Maqedonisë të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Grubi u shpreh i kënaqur me dinamikën e hapave drejt zgjidhjes përfundimtare të kontestit ndërmjet Shkupit dhe Athinës.

Në takim u theksua kënaqësia nga zhvillimi i suksesshëm i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Suedisë, me theks në angazhimet reciproke për përforcimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore.

Ambasadori Stefanson u shpreh i bindur dhe i gatshëm për përparimin e mëtejshëm të relacioneve të afërta ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Suedisë, përmes përforcimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.