Gjykata Supreme e Spanjës kërkoi të arrestohet ish deputetja e Parlamentit katalonas Ana Gabriel, pasi që ajo sot nuk është paraqitur në gjykatë.

Ajo duhej të paraqitet në gjykatë pas akuzave se ka bërë thirrje për kryengritje kundër shtetit, duke kërkuar pavarësi për Kataloninë.

Ajo mbrëmë u prononcua nga Zvicra dhe deklaroi se nuk do të paraqitet në gjykim në Madrid pasi ka vlerësuar se kjo nuk do të ishte e drejtë.

Katalonia në tetor të vitit të kaluar ka mbajtur referendum për pavarësi, pas çka më 27 tetor Parlamenti katalonas deklaroi pavarësinë. Pastaj Qeveria spanjolle e shpërndau pushtetin lokal dhe shpalli zgjedhje të parakohshme rajonale.