Partia populiste e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka tejkaluar Partinë Social Demokrate (SPD) për herë të parë në një sondazh kombëtar, pak para se SPD-ja të fillojë një votim kritik nëse duhet t’i bashkohet një koalicioni qeverisës.

Sipas sondazhit të fundit të INSA-së për gazetën “Bild” tregohet se vetëm 15,5% e votuesve do të zgjidhnin partinë e qendrës së majtë SPD, në rënie me 1,5 pikë nga sondazhi i fundit, ndërsa AfD-ja është rritur me një pikë, duke arritur 16%.

Ky njoftim do të shtojë vështirësitë brenda SPD-së, që është përballur me një rënie të vazhduar që prej zgjedhjeve legjislative në Shtetor ku arriti 20,5%, rezultati i saj më i dobët që prej vitit 1949.

Nga ana tjetër koalicioni i Merkelit CDU-CSU regjistroi një rritje me dy pikë, duke arritur 32 për qind sipas sondazhit të INSA-së, përcjell Atsh.

Anëtarët e SPD-së do të zhvillojnë nesër një votim nëse duhet të pranojnë ose jo një ripërtëritje të të ashtuquajturit koalicion i madhë me bllokun konsercvator të kancelares, Angela Merkel që ka qeverisur Gjermaninë që prej vitit 2013.