Gazetari belg, Philippe Bertinchamps, i cili vepron në Beograd, prej ku raporton për “Le Courrier des Balkans”, “Mediapart”, “Liberation”, “RFI”, “RTBF”, “Le Soir”, “La Tribune de Geneve” dhe tjera media frënge, po kërcënohet me dëbim nga Ministria e Brendshme e Serbisë, me pretekstin se është “pengesë për rendin publik dhe sigurinë kombëtare”

Ministria e Jashtme e ka refuzuar kërkesën e Bertinchamps për të marrë lejeqëndrim në Serbi, përkundër se ai është i martuar për një grua me nënshtetësi serbe.

Organizata “Reporterët pa Kufij”, ka shkruar se pretendimet e Serbisë mbi gazetarin belg nuk janë evidentuar dhe nuk kanë bazë, shkruan Periskopi. Ai, deri tani është marrë në pyetje dy herë nga Agjencia për Inteligjencë e Serbisë (BIA) në “intervista të thella”. Për herë të parë, ai është pyetur nga BIA në prill të vitit 2017, menjëherë pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, që ai i ka mbuluar si gazetar.

“Duke pasur parasysh situatën shqetësuese të lirisë së medias në Serbi, ku gazetarët e pavarur janë target i dhunës fizike e verbale dhe kampanjave urrejtëse nga mediat pro-qeveritare, ne besojmë se ky rast, si çështje urgjente, duhet të sillet në vëmendjen publikut serb, evropian dhe ndërkombëtar”, shkruan “Reporterët pa Kufij”.

Bertinchamps ka mbuluar Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor në dhjetë vitet e fundit, dhe ai gjithnjë ka treguar profesionalizëm në raportimet e tij, thuhet në reagimin e “Reporterëve pa Kufij”.

Gazetari belg është i martuar me një grua serbe, e cila punon si fotografe, me të cilën kanë një vajzë 5-vjeçe.