Si pjesë e fushatës “BE për Ty” sot për vizitë në Dibër ishte shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Qëllimi i fushatës është që të ngritet vetëdija dhe të informohet opinioni për ndihmën e BE-së në vend. Ambasadori Zhbogar fillimisht u takua me kryetarin e Dibrës Ruzhdi Lata.

“Për komunën tonë mbështetja e BE-së në periudhën e kaluar ishte bujare. Bisedën e sotme të cilën e patëm me Zhbogarin, tregoi se interesat e BE-së janë në drejtim që të ndihmohet edhe komuna jonë, ndërkaq edhe shteti ynë në zhvillimin e tij, në perspektivat dhe në mundësimin e ekzistencës më të mirë të qytetarëve tanë”, theksoi kryetari Lata.

Eurombasadori është njoftuar me problemet dhe sfidat e komunës dhe banorëve të saj dhe premtoi se ndihma për këtë komunë do të vazhdojë.

“Mësova shumë më shumë për këtë komunë me problemet dhe sfidat me të cilat po përballet. Biseduam për tre projektet të cilat janë të financuara nga ana e BE-së, të cilat tashmë janë implementuar në nivel të Komunës së Dibrës, ndërsa të cilat sot dhe do t’i vizitoj. Por, primare, ne sot me kryetarin biseduam për projektet e mundshme të ardhshme për të cilat BE-ja do të mund të ndihmojë në zhvillimin e ardhshëm në komunën tuaj”, tha Zhbogar me ç’rast kryetarit Lata i ndau mirënjohje.

Zhbogar dhe Kata e vizituan edhe Qendrën Ndërkomunale për Ndihmë Sociale, ambientet  e së cilës janë rokonstruktuar me para të BE-së dhe rrugën për në Banjishtë dhe shtegun afër liqenit të Dibrës.