I ardhur në Prishtinë me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kongresisti amerikan Eliot Engel, duket i ngazëllyer nga fakti se është në vendin për çlirimin dhe pavarësimin e të cilit pati nisur të angazhohej gati tridhjetë vjet më parë, kur, siç thotë, askush nuk e besonte se Kosova do të mundë të bëhej shtet i pavarur.

“Në Washington kam qenë i pari, një prej të parëve që kam bërë thirrje për një Kosovë të pavarur, dhe shumë njerëz më thoshin se kjo kurrë nuk do të ndodhte, se është ëndërr e parealizueshme… dhe ja ku jemi”, thotë Engel në një intervistë ekskluzive dhënë “Kohës Ditore”, dhënë ditën e diel, kur bashkë me shënimin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës shënonte edhe ditëlindjen e tij të 71-të.

Engel, një kongresist i njohur si përkrahës i madh i Kosovës dhe shqiptarëve, kujton se në këtë moment feste për Kosovën më shumë duhet reflektuar për të arriturat sesa për problemet. “Duhet të mendojmë se sa shumë përparim kemi bërë gjatë viteve, ku kemi qenë dhe ku kemi mbërritur dhe, megjithëse e ardhmja lidhet me problemet që duhet të merremi, prapëseprapë njerëzit duhet të shohim se deri ku kemi arritur në Kosovë, në vend se të shohim gjëra të caktuara që ende mund të jenë probleme”.

Në intervistë, ai foli për shumë aspekte të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të arriturave që janë bërë, por edhe çështjeve që duhet adresuar, përfshirë miratimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, si dhe lejimin e punës së Gjykatës Speciale.