Lëndimet që i ka marrë deputeti Ziadin Sela gjatë dhunës në Kuvend më 24 prill të vitit të kaluar, kanë qenë të rënda dhe kërcënuese për jetën, tha sot para gjykatës eksperti dr. Zdravko Çakar.

Në vazhdimin e sotëm të gjykimit për tentimin për vrasje të Selës, Çakar i konfirmoi rezultatet që i ka dhënë edhe para Prokurorisë. Theksoi se nga lëndimet që i janë shkaktuar Selës, më e rrezikshme dhe më e rëndë ka qenë shtypja e trurit dhe ënjtja e pjesës të djathtë ballore. Rreziku për jetë ka qenë nga dëmtimi i indit të trurit.

Në fillim të gjykimit të sotëm, të akuzuarit kërkuan sërish të lexohen deklaratat e dy dëshmitarëve nga seanca e parafundit gjyqësore e mbajtur më 8 shkurt.

Dje para gjykatës dëshmoi Ziadin Sela. Tha se në sallën e presit është goditur me monitor dhe me shtizë flamuri dhe se ka dëgjuar kanosje të drejtuar drejt tij se do të vritet.

Në një moment është sulmuar nga persona nga turma të cilët kanë filluar ta gjuajnë me grushte në kokë dhe më pas e ka humbur vetëdijen. Gjëja e fundit që mban mend është se ka rënë në gjunjë dhe  se kanë filluar ta godasin në kokë dhe në trup. Ka ardhur në vetëdije pas dy orësh në një nga zyrat në Kuvend, ku ka ardhur policia dhe ndihma e shpejtë mjekësore. Policët e kanë maskuar si një polic i lënduar dhe e kanë dërguar në spital. Në korridor e ka takuar ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Nikolla Todorov i cili ka thënë se duhet të dërgohet në Spitalin e Qytetit, për të cilën ka kundërshtuar mjeku i cili ka insistuar që Sela të dërgohet në Klinikën për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv. Aty, mjekët kanë konstatuar se ka qenë në rrezik për jetë.

Në seancën paraprake, avokati i Selës kërkoi dëmshpërblim për klientin e tij në vlerë prej 30 milionë denarësh. Mjetet që kërkohen si dëmshpërblim janë për shpenzimet materiale për mjekimin e Selës, si dhe për dhimbjen e pësuar fizike, cenimin e integritetit personal dhe për frikën e pësuar.

Në këtë rast të akuzuar janë Kire dhe Cejo Gjorgjievski, Oliver Oshavkovski,l Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar janevski – Toshta, Andrej Micov,l Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov dhe Stojan Pavloovski – Kobra.