Sekuestrohen rreth 2 milionë euro pasuri, të dyshuara të fituara nga aktivitet kriminal.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë goditur një rast të pastrimit  të produkteve të veprës penale.

Mbi bazën e  referimit të bërë nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, gjatë ditës së sotme është ekzekutuar vendimi penal i Gjykatës duke sekuestruar pasuritë e shtetasit T.S., 46 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë me 12 vite burg për veprën penale “Trafikimi i  lëndëve narkotike”.

Më konkretisht janë sekuestruar 25 000 m2 tokë arë; 10 100 m2 pemëtore; 9 njësi tregtare, ambiente të përshtatura për biznese me sipërfaqe totale 580 m2;22 apartamente me sipërfaqe totale 1780 m2.

Pasuritë dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, kryer nga shtetasi T.S., ku në total ato llogariten rreth 2 milionë euro.