Zyrtarët afganë kanë thënë se një bombë vetëvrasëse ka lënë të vdekur të paktën dy persona, në sulmin që ka ndodhur në një zonë diplomatike në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Grupi militant, Shteti Islamik (IS) e ka marr përgjegjësinë për sulmin.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Najib Danish, ka thënë se gjashtë persona janë plagosur në sulmin e ditës së sotme, afër selisë së NATO-s dhe jo shumë larg ambasadës amerikane, shkruan rel.

Përmes një deklarate, agjencia e lajmeve e IS-it, Amaq, ka njoftuar se sulmi është kryer nga një sulmues me jelek shpërthyes dhe ka pasur cak selinë e shërbimit të inteligjencës së Afganistanit.

Në të njëjtën kohë, ministria e Mbrojtjes afgane, ka njoftuar se 18 ushtarë kanë vdekur në një sulm të talibanëve në perëndim të Afganistanit.

Militantët e talibanëve dhe IS-it kanë kryer një varg sulmesh kundër trupave afgane dhe policisë në muajt e fundit.

Ushtarët afganë janë përballur me atë që Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar si numër “shokues” të viktimave, prej kur forcat ndërkombëtare kanë përfunduar misionin e tyre më 2014.