Një 23-vjeçare humbi jetën në një aksident rrugor mjaft tragjik, teksa kthehej me taksi nga Durrësi për në Tiranë. Bashkë me Elena Avdillarin, nënë e një fëmije, vdiq edhe taksisti, 60-vjeçari Bujar Agalliu.

Një makinë tip Benz që udhëtonte afër Maminasit me një shpejtësi marramendëse (dyshohet 200 km/h), goditi nga pas taksinë duke rezultuar fatale për vajzën dhe shoferin. Të dyja makinat dolën nga rruga duke u përplasur me një karburant anë rrugës, e më tej taksia thuajse u bë shosh pasi u përplas me një kamion.

Drejtuesi i Benzit me targë AA 060 SP e braktisi makinën duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Fatjon Zhaborja nga Tropoja rezulton tashmë i shpallur në kërkim për aksidentin me dy viktima, ndërsa e shkuara e tij është me precedentë penalë. Në moshën 19-vjecare ai është dënuar për tentativë vrasje. Ndërkohë, policia ka hedhur të tjera dyshime mbi këtë ngjarje të rëndë. Dhe shkak janë bërë gjurmët e gjakut të gjetura në sediljen e pasagjerit tek Benzi. Kjo ngre dyshime të forta se Zhaborja nuk ka qenë i vetëm në momentin e përplasjes me taksinë.

Dardan Gjeka, 24-vjeç, nga Shkodra dyshohet të ketë qenë pasagjeri. Ai është shpallur në kërkim nga policia. Në të vërtetë ai rezulton të jetë edhe pronari me letra i makinës Benz ML.

Report Tv ka zbuluar se viktima, Elena Avdillari dhe 24-vjeçari Gjeka kanë pasur njohje me njëri-tjetrin. Sipas sistemit TIMS, ata kanë hyrë dhe dalë vazhdimisht nga Shqipëria në drejtim të Italisë në të njëjtat data. Kjo shton dyshimet se Elena Avdillari është shoqëruar nga Dardan Gjeka në këto hyrje-dalje të konstatuara nga TIMS-i, përmes Portit të Durrësit dhe pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit.

Elena Avdillari ishte nisur nga Tirana ku jetonte për në Durrës, ku do të nisej me traget për Itali. Ajo u kthye nga polciai kufitare pas njoftimeve të marra nga autoritetet italiane se e reja shkonte shpesh në shtetin fqinj dhe punonte në mënyrë të jashtëligjshme. Rrugës së kthimit ajo dyshohet të jetë përplasur qëllimisht nga automjeti ku pasagjer ishte edhe 24-vjeçari me të cilin ajo kishte njohje.