Në vitin 2017, shqiptarët renditen të tretët, pas rusëve dhe ukrainasve, për refuzimet në kufijtë e Bashkimit Europian.

Referuar raportit më të fundit të Frontex mbi emigracionin përgjatë 2017-ës, shtetet anëtare të Bashkimit Europian raportuan 279215 kthime për shtetasit e shteteve të vendeve të treta, me një rënie prej 8.6 % krahasuar me 2016-ën. Referuar raportit, numrin më të lartë të kthimeve apo refuzimeve e mbajnë Austria, Franca dhe Holanda.

Disa shtete anëtare raportojnë se me kalimin e kohës disa vendime kthimi u janë dhënë të njëjtëve individë, që kanë rihyrë në hapësirën e BE-së.

Shtetet e tjera anëtare raportojnë shifra për kthimet efektive që tejkalojnë numrin e vendimeve të kthimit. Kjo është kryesisht për shkak se disa autoritete nuk i raportojnë plotësisht këto vendime.

Së fundmi, vendimet e kthimit mund të kenë të bëjnë edhe me kthimet vullnetare që nuk janë të regjistruara. Në fakt, për kthim vullnetar, vetëm disa shtete anëtare zbatojnë një politikë të largimit të kontrolluar. Në këto rrethana, është e vështirë të konstatohet se një vendim kthimi është zbatuar në mënyrë efektive, thuhet ndër të tjera në raport.

Brenda numrit të kthimeve efektive në vendet e treta, 50% ishin raportuar se ishin në baza vullnetare dhe 50% u kthyen me forcë.

Në vitin 2017, Agjencia ndihmoi Shtetet Anëtare për kthimin e më shumë se 14 000 personave, kërkesat e të cilëve u refuzuan dhe të cilët nuk morën statusin e mbrojtjes ose nuk kishin të drejtë të qëndronin në BE.

Referuar raportit shqiptarët janë kombësia e tretë më e përjashtuar nga Europa, pas ukrainasve me 37 mijë hyrje të mohuara dhe rusëve me 36 mijë hyrje të mohuara.

Sipas raportit. ndër 32 mijë raste, gati 11 mijë shqiptarë janë refuzuar për shkak se nuk kanë dokumentacionin përkatës që justifikon qëllimin dhe kushtet e vizitës.

9,331 shqiptarë janë refuzuar në kufijtë evropianë për shkak se janë gjykuar si pa mjetet e duhura për të qëndruar në periudhën e deklaruar dhe pa para për t’u rikthyer në vend. 8,363 shqiptarë ndërkohë kanë qenë në listën e alarmit për refuzimin e hyrjes në regjistrin kombëtar.

1,945 shqiptarëve u është mohuar hyrja për shkak se kishin qëndruar mbi 3 muaj gjatë periudhës 6-mujore në territorin e shteteve të BE, një fakt që flet mbi ndërgjegjësimin e ulët të qytetarëve mbi rregullat e lëvizjes së lirë.