Bashkimi Evropian sot kërkoi ndërprerjen urgjente të sulmeve ajrore artilerike të forcave qeveritare siriane mbi rajonin e Gutës Lindore, që është nën kontroll të kryengritësve, si dhe shpalljen njëmujore të armëpushimit në Siri.

“Nevojitet ndërprerje urgjente të sulmeve mbi objekte civile në rajonin sirian Guta Lindore, ku pa ndërprerë sulmohen qindra civilë, duke përfshirë edhe gra dhe fëmijë”, deklaroi përfaqësuasja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini.

Sipas saj, BE-ja “nuk ka fjalë me të cilat mund ta përshkruajë tmerrin”, që e përjetojnë njerëzit në Gutën Lindore.

“Sulmet duhet të përfundojnë menjëherë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkohet që t’i ndërpresë vuajtjet e këtyre njerëzve”, shtoi Mogerini.

Ajo theksoi se BE-ja e përkrahë Propozim-rezolutën e parashtruar deri te Këshilli për Siguri i BE-së, me të cilin kërkohet shpallja e ndërprerjes 30- ditore të zjarrit në Siri, me qëllim që t’i ofrohet ndihmë humanitare popullatës civile.

“Regjimi sirian duhet urgjentisht të ndërpresë me bombardimin e banorëve të vet dhe ta ndërmarrë përgjegjësinë themelore të tij për mbrojtjen e tyre”, theksoi Mogerini.

Në të njëjtën kohë, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Makron, të cilët gjenden në Bruksel, ku po marrin pjesë në Samitin joformal të BE-së, dërguan letër të përbashkët deri te shefi i shtetit rus Vladimir Putin, me të cilën kërkojnë që Moska ta përkrahë Propozim – rezolutën për ndërprerje urgjente të zjarrit në Siri.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, nga ana e tij deklaroi se Rusia është e përgatitur të votojë për rezolutën e propozuar të Këshillit për Siguri të KB-së, edhe pse SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk i kishin pranuar kërkesat e Moskës.

 Rezoluta, të cilën e propozuan Kuvajti dhe Suedia, parashikon ndërprerje njëmujore të zjarrit në Siri, që të mundësohet lehtësimi i rrethimit të Gutës Lindore dhe të organizohet evakuim i njerëzve për shkaqe mjekësore.

Që të shpëtojnë nga vetoja e Rusisë gjatë votimit të rezolutës, propozuesit u përpoqën t’i largojnë nga  marrëveshja për armëpushim të gjithë grupet xhihadiste, si për shembull SHI-në dhe Al Kaedën.

Lavrovi që dje deklaroi se Rusia është e gatshme të pranojë ndërprerje të zjarrit në Siri, me kusht që me të të mos përfshihen edhe grupet të cilat bashkëpunojnë me organizatat xhihadiste dhe sulmojnë lagje në rajonin e Damaskut.

Me Propozim- rezolutën parashikohet që armëpushimi të hyjë në fuqi 72 orë pas miratimit të tekstit nga ana e Këshillit për Siguri të BE-së. Dërgimi i ndihmës urgjente humanitare, si ilaçe dhe ushqim, do të fillojë 48 orë pas fillimit të armëpushimit.