Ka nisur numërimi mbrapsht për Gareth Bale në “Santiago Bernabeu”, klubin mbretëror tashmë ka marrë vendimin për të mos vazhduar me lojtarin nga Wellsi sezonin e ardhshëm.

3 ndeshje në stol nga 4 të fundit, janë një tregues se tashmë ajo mes Gareth Bale dhe Zinedine Zidane është kthyer në një çështje, por sigurisht që mbi të gjitha domethënës ishte fakti që sulmuesi 28-vjeçar nuk u aktivizua si titullar në duelin e fortë evropian me PSG-në.

Rikthim si titullar vetëm në ndeshjen me Betisin, por që nuk e pa protagonist në asnjë prej 73 minutave, ku u shënuan 4 gola. Sjellja e sulmuesit 28-vjeçar ka qenë një faktor që e ka ndaluar atë të triumfojë në Madrid.

Bale është treguar disi egoist në fushë, pa menduar për kolektivin, duke mbetur si një pjesë e huaj në trupin e kësaj skuadre, pa arritur të integrohej me të. Në mënyrë paradoksale aftësitë e tij të jashtëzakonshme si lojtar nuk ka arritur t’ia shtojë organikës për një lojë në ekip.

Transferimi i tij në Madrid ishte ndër më të shtrenjtët e historisë së ‘Los Blancos’ dhe i tillë ka qenë dhe trajtimi që ka marrë aty. E ngjitën në ‘majën e Olimpit’ madrilen, duke e projektuar si pasuesin e Cristiano Ronaldos, por 5 vjet më pas realiteti paraqitet krejt ndryshe. Bale nuk pati rendimentin e dëshiruar, sikundër paraqiti një dobësi fizikë dhe mentale duke mos plotësuar kriteret për të qenë ai lideri i ri i këtij grupi.

I dëmtuar 25 herë, Bale ka humbur plot 78 ndeshje, pothuajse një në tre takime. Për këtë arsye tek Reali kanë vendosur që t’i besojnë fakteve dhe realitetit sado zhgënjyes të jetë ai.

Palët tashmë i kanë objektivat e qarta, me Realin që kërkon të largojë Bale me synimin për të sjellë në organikë Eden Hazard, Harry Kane dhe Mauro Icardi , ndërkohë që vet lojtari sheh me shpresë të ardhmen e tij në Premier League.

Edhe tifozët nuk e duan më 28 vjeçarin. Në anketën e AS, ata kanë qenë pro shitjes së Bale.

Nga 56.617 votues, 41.630 nuk e duan më uellsianin në Madrid, apo thënë ndryshe 73.53% e votuesve, kurse 26.47% duan që Reali mos ta shesë 28 vjeçarin