Komisioni për kulturë në Aleancën  për Shqiptarët, në konferencën e sotme për media kërkoi nga Ministria e Kulturës që ta tërheqë vendimin për ndarjen e mjeteve për programin vjetor për kulturë, për shkak të parregullsive dhe mosrespektimit të rregullores për ndarje të mjeteve.

“Sektori për kulturë në Aleancën për Shqiptarët kontaktoi me kolegë artistë nga fusha të ndryshme të artit dhe përshtypja e përgjithshme është se këtë vit mjetet e obligacioneve tatimore shqiptare shkuan te shoqatat të cilat janë të pranuar politikisht nga partitë në pushtet. Gjithashtu, vërehet se komisionet e formuara as nga larg nuk e kanë kryer punën e tyre, që shihet nga artikujt dhe hulumtimet tuaja për këtë temë. Ju na informuat për nepotizmin, për shoqata të regjistruara ad-hok, pa asnjë projekt të realizuar më parë, të cilat kanë fituar buxhet sikur të kishin portofol të pasur. Nga ana tjetër shoqatave të cilat janë dëshmuar në realizimin  e projekteve u janë ndarë shuma qesharake. Duke përfshirë këtu edhe shumat qesharake të ndara për realizim të shfaqjeve, koncerteve ose festivaleve”, tha Elmir Sejfullai, kryetar i Komisionit për Kulturë të ASH-së.

Nga këtu, si përfundim, themi se kjo shpërndarje e buxhetit është skandaloze dhe kërkojmë nga Ministria e Kulturës ta shpallë si të pavlefshëm programin e këtij viti dhe në afat sa më të shpejtë të shpallë konkurs të ri.

“Gjithashtu, kërkojmë që anëtarë të komisioneve të zgjedhen nga shoqëria civile, artistë eminentë dhe jopartiak, derisa në zgjedhjen të mos vlejë parimi i kuantitetit, por i cilësisë. Arti nuk duron populizëm, por duhet të bazohet në vlera. Të mos jepen nga 5.000 euro për 10 shfaqje, por të jepen 10.000 euro për pesë shfaqje dhe kjo të vlejë edhe për fushat tjera të artit”, tha Sejfullai.