Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta priti sot në një takim lamtumire, ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, Stojan Karajanov.

“Duke iu referuar intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbimit të vizitave në nivelet më të larta, Presidenti Meta vlerësoi angazhimin dhe kontributin personal të Ambasadorit Karajanov në këtë drejtim”, qëndron në kumtesën e publikuar në ueb faqen e kabinetit të presidentit.

Gjithashtu theksohet se presidenti Meta ka shprehur besimin se, ambasadori Karajanov edhe pas mbarimit të misionit të tij diplomatik në Shqipëri do të jetë një promovues aktiv i marrëdhënieve Shqipëri-Maqedoni.