Kryeprokurori Ljubomir Joveski shpjegon arsyet për vendimin e Prokurorisë Republikane për rikualifikimin e veprës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen” në rastin e Almir Aliut. Në pyetje të deputetëve, Joveski tha se vendimi Vjen si pasojë e mungesës së dëshmive për paramendimin e të akuzuarit Boban Iliç.

Para se të emërohesha Kryeprokuror Publik, fillimisht lënda ishte referuar në Prokurorinë e Lartë, ndërsa më pas edhe në Prokurorinë Republikane. Atëherë u mor vendim se tek i akuzuari nuk mund të dëshmohet paramendimi si element i veprës penale dhe për këtë arsye vepra duhet të rikualifikiohet – deklaroi kryeprokurori Ljubomir Joveski.

Procesi gjyqësor për rastin e Almir Aliut nisi nga fillimi. Megjithatë aktakuza mbetet e njëjtë, Boban Iliç mbetet në cilësinë e të akuzuarit për “vrasje” ndërsa Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri si të akuzuar për dhunë. Vendimi i Prokurorisë Republikane për rikualifikim mund të hyjë në fuqi në fazën e fjalës përfundimtare të palëve, kur prokurori i lëndës do ti kërkoj trupit gjykues që i akuzuari të dënohet për veprën penale aksident trafiku me pasojë vdekjen, që nënkupton edhe ndryshimin e akuzës. Në këtë fazë kur procesi ka filluar nga e para, jashtë akuzës mbetet vëllai i Boban Iliç, Bojan Iliç i cili nga kamerat e sigurisë vërehet teksa pas aktit del nga vetura dhe godet me shufër të prindin e 4 vjecarit të ndjerë. Në seancën e fundit, pala e dëmtuar propozoi dëshmi të reja, por dëshmitë relevante si dëshmitarët okularë dhe rikonstruktimi i raportit për trajektoren lëvizëse nuk u pranuan nga ana e trupit gjykues. Pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Kumanovës për rikualifikim të veprës mbi konstatimet se procedura hetimore nuk ka konstatuar paramendim tek i akuzuari, pala e dëmtuar kërkoi prononcimin e Prokurorisë së Lartë Publike. Kjo e fundit duke e shpallur veten jo kompetente lëndën e referoi në Prokurori Republikane, ku në kolegjin e mbajtur, 4 Prokurorët shqiptar u mbi votuan nga 6 kolegët e tyre maqedonas të cilët votuan pro rikualifikimit. Seanca e radhës për rastin e Almir Aliut është caktuar për 5 mars kur do të duhet të dëshmojnë Bojan Iliç dhe Tanja Dimkovska. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë, si pasojë e goditjes më veturë nga agresori Boban Iliç pas një zënke paraprake mes familjarëve të Almirit dhe të akuzuarit për vrasje./Alsat-M