Avokati Arianit Koci ka propozuar që partitë politike në Kosovë të jetë të unifikuara dha ta votojnë Demarkacionin, edhe pa përkrahjen e Listës Serbe

Sipas tij, Lista Srpska do të mundohet të përfitojë maksimalisht nga kjo situatë, në këmbim të votës pro Demarkacionit, ndaj partitë tjera parlamentare duhet të tregojnë se vendi nuk mbetet peng i interesave të tyre politike.

Madje, Koci ka kujtuar deputetët se si në vitin 2008 partitë shqiptare ishin unifikuar për të shpallur pavarësinë e Kosovës edhe pa votat e koalicionit serb “Povratak”.

“Shpallja e pavarësisë është bërë pa serbët, për shkak se kemi qenë unik! Shpresoj që i kemi votat për demarkacion, edhe pa Listën Serbe. Indikacionet janë që kjo listë do të tentojë të përfitojë maksimalisht, në këmbim të votës. Natyrisht, çdo grup parlamentar ka të drejtë që strategjikisht dhe politikisht ta orientojë votën. Por, është koha e fundit që ky grup parlamentar ta kuptojë që Kosova është edhe shteti i tyre, dhe se ne – shumica, nuk mundemi vazhdimisht me qenë peng i interesave të tyre politike. Bllokadat e tilla, nuk e pasqyrojnë demokracinë e mirëfilltë. Në fund të fundit, Kosova është shteti i vetëm i yni. I mirë e i keq. Prandaj, të punojmë të gjithë që ta krijojmë një ambient demokratik për jetesë. E grupet politike me ambicie që ta bllokojnë të ardhmen tonë, duhet defaktorizuar politikisht. Sidoqoftë, shpallja e pavarësisë është bërë pa serbët (Povratak), për shkak se kemi qenë unik!”, ka shkruar Arianit Koci në Facebook, duke bashkangjitur edhe një fotografi të deputetëve serbë duke e lëshuar sallën e Kuvendit, më 17 shkurt 2008.