Qeveria e Kosovës gjatë njëqind ditëshit të parë të qeverisjes, ka emëruar 69 zëvendësministra, të cilët i kushtojnë buxhetit të Kosovës me miliona euro. E tërë këtë situatë të krijuar, analistët e quajnë sa komike, po aq dhe tragjike.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se numri i madh i zëvendësministrave, ka krijuar një situatë qesharake. Ndërsa thotë se Haradinaj,  para se të bëhet kryeministër thoshte se mjafton një zëvendësministër në një dikaster qeveritar, respektivisht në një Ministri. Tash me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, sipas Mushkolajt  ka emëruar pesë madje dhe gjashtë zëvendësministra në ministri të caktuar.

“ Kjo nuk ka të bëjë fare me efikasitetin e Qeverisë. Kjo ka të bëjë  thjeshtë me akomodimin e interesave partiake dhe me borxhin kushtimisht thënë që z. Haradinaj e ka për partnerët e koalicionit qeveritar,  sidomos për partnerët e PDK-së, për ato njëzet e sa partiçka që u bënë pjesë e koalicionit me PDK-në, vetëm për të marrë një pjesë të hises në qeverisje. E në këtë rast e kemi këtë situatë shumë qesharake, jashtëzakonisht komike. Nuk ka si të quhet ndryshe, kur më se 70 persona, shumica prej tyre fatkeqësisht parazitë të kësaj shoqërie, kanë zënë pozita, kanë zënë karrige. Shfrytëzojnë privilegje, marrin paga të majme pa bërë asgjë. Unë e kuptoj kryeministrin kur thotë se këta njerëz do të duhej të punonin, do të duhet të iu ndahej punë e tjera. Por nuk besoj që këta njerëz kanë çfarë të punojnë. Për shkak se një ministri, 5 a 6 z v ministra nuk kanë çfarë të punojnë. Çka do të punojnë ata. Ata më shumë do të pengojnë, se sa do të punojnë”, thotë ai.

Mushkolaj thotë se nuk mund të bëhet punë as efektive as serioze me 70 zëvendësministra, me qindra këshilltarë dhe me ndërrime të rregulloreve, që vetëm mundëson shtimin e numrit të këshilltarëve. Dhe se kjo qasje e Haradinajt sipas tij, është totalisht e gabuar, e cila më shumë pengon se sa ndihmon.

“I vetmi ndikim që këta zv/ministra kanë në qeverisje, respektivisht në përgjithësi në Kosovë, është vetëm harxhimi i buxhetit për paga dhe mëditje dhe privilegje që ata kanë. Për më keq ne na janë kthy në poste të zv/ ministrave edhe personat, të cilët janë larguar më parë, për shkak të keqpërdorimeve financiare si dyshime për keqpërdorime financiare. Unë nuk e di çka përfaqësojnë këta njerëz. Gjithçka është kthyer në një komedi. Është shumë qesharake. Atyre mund t’iu  ofrohen të bëhen zv ministra, por unë nuk i kuptoj se si ata njerëz pranojnë pastaj ta marrin një pozitë të tillë,  duke pasur parasysh gjithë këtë tragjikomedi që po ndodh. Për shkak se është shumë e dhimbshme për ta quajtur qesharake”, tha ai.

Edhe analisti Behlul Beqaj,  thekson se një njollë e zezë e kësaj Qeverie, është numri i madh i zëvendësministrave.

“Përgjithësisht nuk mund të themi se ka qenë sukses i politikbërjes gjatë këtij viti. Dështimet janë evidente. Por nuk mund të thuhet se janë të pariparueshme. Mjerisht një njollë e zezë, në tërë këtë proces mbetet një rekord që ka krijuar qeveria aktuale e z. Ramush Haradinaj,  i cili ka vendosur rreth 70 zv/ ministra në kuadër të çatisë së kryeministrisë. I cili me siguri do të mbahet mend, vetëm për këtë punë dhe disa veprime avantureske siç ishte Shipitulla. Ndarja e mjeteve për luftëtarët që kanë qenë jashtë territorit të Kosovës dhe disa veprime tjera të cilat kanë sjellë pak a shumë kundërshtimin jo vetëm në opozitë, por dhe brenda partnerëve të koalicionit”, tha ai.

I pyetur për këtë numër të madh të zëvendësministrave kryeministri Ramush Haradinaj nuk foli për numrin e madh të zëvendësministrave por tha se dy nga ta kanë dhënë dorëheqje duke përmendur tashmë deputetin Muharrem Nitaj i cili ka qenë zëvendësministër i Arsimit dhe Brahim Mehmetaj i cili ka qenë zëvendësministër në FSK ndërsa tash është emëruar drejtor i një Drejtorie në komunën e Prishtinës.

Ndryshe numri prej 69 zëvendësministrave i kushton buxhetit të Kosovës 79 mijë e 350 euro në muaj, ose 952 mijë e 200 euro në vit pasi që ata marrin nga 1150 euro pagë bruto në muaj.