Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, nesër do të qëndrojë për vizitë njëditore në Tiranë, ku do të realizojë takime me kreun shtetëror të Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të vizitës, siç njofton Zyra për Informim e SÇE zëvendëskryeministri Osmani do të realizojë takime me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Në takime do të diskutohen bashkëpunimi bilateral, bashkëpunimi rajonal, zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella të Republikës së Maqedonisë me Republikën e Shqipërisë.

Vizita në Tiranë është pjesë e turneut Ballkanik të cilin zëvendëskryeministri Osmani e filloi me vizitën e tij në Athinë në fillim të këtij muaji dhe i cili do të vazhdojë me vizitë në Beograd dhe në Sofje.