Në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i cili akuzohet për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, prokurori Paul Flynn tha se janë mbledhur prova të mjaftueshme që të arrihet dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari ka kryer krime shumë të rënda për të cilat duhet të japë llogari.

Në seancën e sotme është lexuar aktakuza.

I pandehur Zoran Vukotiq nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Seanca gjyqësore vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga prokurori, i cili tha se në shqyrtimin gjyqësor do të paraqesë prova që do të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit.

Po ashtu, prokurori theksoi se ky është një prej atyre rasteve me dhunë brutale, të qëllimshme dhe barbare, i motivuar nga urrejtja dhe keqdashja e pamëshirshme etnike e kryer kundër anëtarëve të popullatës civile gjatë luftës.

Prokurori deklaroi se gjatë seancave gjyqësore do të ketë edhe dëshmitarë të cilët në mënyrë të hollësishme do të tregojnë se si në mëngjesin e 5 majit 1999 Zoran Vukotiq dhe policë të tjerë nisën të hynin në shumë shtëpi dhe objekte të shqiptarëve të Kosovës, ku në mënyrë të dhunshme i rrahën, i terrorizuan dhe i keqtrajtuan banorët, pa dallim as meshkujt, e as femrat, të rinjtë apo të moshuarit, duke i vrarë më gjakftohtësi katër nga viktimat.

Në mesin e katër personave civilë të vrarë janë: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Fjalën e prokurorit e mbështeti edhe mbrojtësi i palëve të dëmtuara Burhan Maxhuni si dhe grupi prej tetë të dëmtuarve tjerë të cilët ishin të pranishëm në seancë.

Maxhuni theksoi se do të kërkojnë kompensimin e dëmit për palët e dëmtuara.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit avokati Miro Deleviq nuk u pajtua me prokurorin duke thëne se të mbrojturin e tij ai e njihte që kur kishte lindur, ndërsa prokurori vetëm prej vitit 2016 kur edhe ishte ngritur aktakuza, duke treguar më pas në gjykatë për mënyrën si ishte rritur Zoran Vukotiq.

Ndërsa arsyeja tjetër me çka mbrojtësi ë të akuzuarit nuk u pajtua ishte e natyrës objektive.

“Në një situatë ku dy grupe janë në konflikt lufte qëllimi themelor i çdo komandanti është të ruajë pjesëtarët e vet dhe në këtë objektiv një njësi apo grup stacionesh dhe të mbrojë veten, nëse i pandehuri ka qenë anëtar rezervist ai është dashur të jetë nën kontroll dhe mbikëqyrje të eprorëve të tij“, tha avokati.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit për krime lufte kundër popullatës civile më 16 maj të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Goroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, se me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Zoran Vukotiq po gjykohet edhe në një rast tjetër për krime lufte.

Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016. /kallxo.com