Ky mëngjes ishte fatal për liderin e SDP-së, Oliver Ivanovic.

Derisa po shkonte në punë, në zyrat e partisë Ivanoviq u sulmua nga një makinë në lëvizje.

Ishin tre plumba fatal për kreun e kësaj partie në Veri.

Derisa po transportohej për në spital Ivanoviq nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.

Në sallën e operacionit ai u fut pa shenja jete.

Policia, e prokuroria ende nuk kanë arritur ta identifikojnë sulmuesin.

Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, ishte veç një person i cili nga makina e tij nxori armën dhe gjuajti drejt Ivanoviqit.

Makina me të cilën u krye sulmi është gjetur pak minuta më vonë e djegur.

Sipas policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 08 e 15 te zyrat e partisë.

“Mund ta konfirmoj se persona ende të panjohur kanë shtënë drejt viktimës mashkull. Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja”, ka thënë Besim Hoti për Express.

Sipas tij, policia tashmë është duke e hetuar rastin.

E menjëherë pas sulmit i cili la të vdekur Ivanoviqin kanë reaguar mediat serbe dhe krerët e shtetit serb.

Delegacioni i Serbisë në Bruksel ka ndërprerë bisedimet që nisën sot dhe mësohet se ata do të kthehen me urgjencë në Beograd për shkak të vrasjes së liderit serb të SDP-së në Mitrovicë të Veriut, Oliver Ivanoviq.

Gazeta “Blic” e Beogradit thotë se delegacioni i Serbisë i ka ndërprerë bisedimet në Bruksel, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjithnjë sipas “Blicit”, ka caktuar takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë, transmeton Koha.net.

Kjo gazetë thotë se arsye e ndërprerjes së bisedimeve janë vrasja e Ivanoviqit dhe kërcënimet e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.

Vuçiq ka caktuar sot për në orën 12 takimin urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë ndërsa në orën 13 do t’u drejtohet mediave.

Ndërprerjen e bisedimeve në Bruksel e ka konfirmuar edhe delegacioni i Kosovës.