Megjithëse nuk ka ende asnjë informacion zyrtar për autorin apo autorët e atentatit ndaj Oliver Ivanoviç në pjesën veriore të Mitrovicës, efekti i parë i ngjarjes së rëndë është reflektuar në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas mediave serbe, kreu i delegacionit serb në dialogun dypalësh në Bruksel, Marko Djuriç njoftoi tërheqjen nga dialogu teknik dhe rikthimin në Serbi deri në një njoftim të dytë.

“Ky është një akt terrorist dhe kriminal që duhet dhe do të ndëshkohet”, deklaroi ai shkurtimisht për mediat, pas njoftimit për tërheqjen nga dialogu.

Pas vrasjes reagoi edhe Qeveria e Kosovës.

“Dënojmë ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb. Akti i vrasjes së Ivanoviç sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin. Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet.

Qeveria e Kosovës fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e vrasjes. 

Autoritetet e sigurisë të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.: