Qeveria e Serbisë ka dënuar ashpër vrasjen e liderit të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviç.

Në një deklaratë për mediat, Marko Gjuriç e ka quajtur sulm terrorist vrasjen e politikanit serb në Mitrovicë.

“Ky është një tentim dhe sulm për tërë popullin serb dhe është një sulm terrorist e kriminal që duhet dënuar, pavarësisht nëse sulmuesit janë shqiptarë apo serb”, ka thënë Marko Gjuric, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ai ka shtuar gjithashtu se serbëve në Kosovë gjatë ditëve dhe javëve të fundit u është kërcënuar jeta edhe me luftë.

Edhe Qeveria e Kosovës ka dënuar vrasjen e Ivanoviç duke deklaruar se kjo vrasje sfidon sundimin e ligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës. Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet.

Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Politikani serb Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e sotëm përpara zyrës së tij në Mitrovicë, në një atentat të mirëorganizuar. 64-vjeçari u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte. Forca të shumta policore në Mitrovicën e Veriut kanë nisur kërkimet për kapjen e autorit/ëve. Ndërkohë, Serbia ndërpreu dialogun me Kosovën që ishte planifikuar për sot në Bruksel.